“Thirrja e gjakut” për Artetën, por Mançester Siti pezmatohet!

Është e qartë se do të jetë ai njeriu i shpresës për Arsenalin. Mikel Arteta, ish-kapiteni i “topçinjve” është në “metrat” e fundit për t’u emëruar si trajneri i ri i skuadrës pas shkarkimit të Unai Emerit, veçse kjo lëvizje ka lënë disa njerëz të mërzitur. Këta janë drejtuesit e Mançester Sitit, të cilët Arteta nuk i lajmëroi që më parë për bisedimet që kishte pasur me Arsenalin, por i njoftoi tani në fund.

Padyshim, londinezët do të paguajnë kompensimin për të marrë numrin 2 të stafit teknik, ndihmësin e Pep Guardiolës, pasi duan me patjetër që të ndryshojnë gjendjen e vështirë të skuadrës së tyre. Për ish-mesfushorin kthimi tek Arsenali është si “thirrja e të parëve”, apo “thirrja e gjakut”, të paktën në një farë kuptimi të kësaj fjale. Djaloshi bask lindi në San Sebastian, luajti për ekipet e moshave të Barcelonës, pastaj tek Paris SG, e Gllazgou Rejnxhërs, për t’u kthyer pa sukses në Spanjë tek ekipi i qytetit të lindjes, Real Sociedad.

Përfundimisht shkoi në Angli ku shkëlqeu me Evertonin dhe në 2011 u mor nga Arsen Vengeri tek Arsenali. Arteta luajti për 5 vjet në “Emirejts” duke u bërë edhe kapiten, dhe ndihmoi ekipin t’i jepte fund një periudhe pa trofe duke fituar dy Kupa të Anglisë dhe dy Superkupa po të Anglisë. Ekziston shpresa se ai do të jetë në gjendje të kthejë në shina një Arsenal që po bëhet gjithnjë e më i dobët.

Sfidanti.al