Prezantohet Gattuso: Një ëndërr e bërë realitet

Ka filluar zyrtarisht aventura e re e Gennaro Gattusos si trajner i ekipit kombëtar italian, duke marrë përsipër drejtimin e “të kaltërve” pas shkarkimit të Spallettit dhe duke e gjetur veten në një pozicion të vështirë në garën për kualifikimin për në Kupën e Botës 2026, tashmë të komplikuar nga humbja 3-0 në Norvegji. Sot në orën 11, ish-trajneri i Milanit u prezantua para shtypit në sallën e konferencave të “Hotel Parco dei Principi” në krah të presidentit të FIGC, Gabriele Gravina, dhe kreut të delegacionit italian, Gigi Buffon. Pas prezantimit të Gravinës, Gattuso mori fjalën. “Është një ëndërr e bërë realitet dhe shpresoj se jam në gjendje ta përballoj. E di që detyra nuk është e lehtë, por nuk ka asgjë të lehtë në jetë. Unë dhe stafi im e dimë se ka shumë punë për të bërë, por gjithashtu e dimë se mund të bëjmë një punë të mirë.

Ka pak për të folur dhe shumë për të punuar. Mendoj se lojtarët janë aty dhe ne thjesht duhet t’i vendosim në gjendjen më të mirë që të japin maksimumin. Qëllimi është ta sjellim Italinë përsëri në Kupën e Botës sepse është thelbësore për futbollin dhe kombin tonë”, ka thënë mes të tjerash trajneri i ri i Italisë.

sfidanti.al