Partizani po “përkëdhelet” nga të gjithë si skuadra për t’u mundur në Superligën shqiptare. Deri edhe ish-kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, deklaroi se janë pikërisht të kuqtë favoritët për titullin, veçse renditja thotë se ata janë në vend të dytë. Presidenti Demi nuk e ka fshehur faktin se nuk është 100 për qind i kënaqur nga të tijtë, veçse këtë deshi t’ua thoshte në sy përpara rinisjes së kampionatit.
“Të gjithë presin titullin prej nesh, – ishin fjalët e tij, – ndaj, ju duhet të angazhoheni maksimalisht në stërvitje dhe në ndeshje, pasi e dimë se kampionati nuk do të jetë i lehtë për t’u fituar”. Demi siguroi se mbështetja e tij nuk do të mungojë, ndërsa numri 1 i klubit është i bindur se trajneri Starova ka në dorë një ekip që duhet të shpallet kampion.
“Unë si president, – vazhdoi ai, – e fitova titullin pasi në shtator akademia e Partizanit do të jetë thuajse e përfunduar, ndaj uroj që shtëpinë e re ta kurorëzojmë me titullin kampion”.