Prag Portugali-Holandë, Kristiano kërkon trofeun e dytë “kombëtar”!

Është një hero, dhe dëshiron ta provojë veten sërish. Kristiano Ronaldo për momentin jep autografe dhe përgatitet, ndërsa në orën 20:45 do të zbresë në fushën e “Estadio do Dragaos” në Porto për të synuar një tjetër trofe të madh në karrierë. Luhet finalja e Ligës së Kombeve, një titull më pak prestigjioz se Europiani apo Botërori, por sërish i rëndësishëm, ndaj edhe dueli ndaj Holandës pritet i fortë.

Problemi i vetëm për vendasit është dëmtimi i mbrojtësit të qendrës, Pepe, i cili mendohet të zëvendësohet nga Hoze Fonte. Ronaldo është në formë të madhe, siç e tregoi me 3 golat e shënuar ndaj Zvicrës në gjysmëfinalen e luajtur po në Porto, ndërsa rikthimi në kombëtare për herë të parë pas Botërorit, është një shtysë e madhe për “luzitanët”.

“Mendoj se Kristiano mund të luajë edhe 3-4 vjet në nivelet më të larta, – tha trajneri portugez, Fernando Santos, – ai është në formë fizike të shkëlqyer, dhe stërvitet në skaj si gjithnjë. Ai është kapiteni ynë dhe një shpresë e madhe për fitoren, ndonëse për të mundur Holandën, do të duhet që gjithë ekipi të japë maksimumin”.

Holanda gjithashtu ka shpresë të madhe për fitoren. Suksesi në gjysmëfinale ndaj Anglisë ishte prova se “tulipanët” po arrijnë pjekurinë e duhur, ndërsa yjet në skuadër janë të shumtë. Me Van Dajkun, De Ligtin, De Jongun apo Van de Bekun, trajneri Ronald Kuman ka mjaft alternativa në sulm e në mbrojtje. Holandezët nuk kanë shqetësime me dëmtimet, ndaj do të jenë në fushë me formacion të plotë.

“Ne duam kupën, – ishin fjalët e Kumanit, – e dimë se do të jetë e vështirë, pasi Portugalia është skuadër shumë e mirë dhe luan në fushën e saj. Po ashtu, përballë do të kemi Kristiano Ronaldon, por kundërshtari është më shumë se një lojtar i vetëm. Mendoj se ne jemi ekip i së ardhmes, por kjo nuk do të thotë se nuk do të luftojmë për trofeun”.

Dy skuadrat janë ndeshur 13 herë më parë, dhe Portugalia ka bilanc pozitiv me 7 fitore, 4 barazime e vetëm 2 humbje. Edhe parashikimet japin portugezët si favoritë për të fituar ndeshjen dhe trofeun e Ligës së Kombeve.

Sfidanti.al