Turqia në qiellin e shtatë, në Francë e bëjnë çështje politike!

U nisën nga Parisi me famën e kampionëve të botës. Futbollistët e Francës, ndoshta nuk dyshonin aspak se udhëtimi i tyre drejt Turqisë, për eleminatoret e Europianit, do të përfundonte me nokaut. Gjithsesi, futbolli tregoi edhe një herë se është i pamëshirshëm me ata që tallen me të, dhe në stadiumin e Konjës, në prani të 42 000 spektatorëve, skuadra numër 1 e rruzullit mori një mësim të mirë.

Jo vetëm u mund 0-2, duke humbur kryesimin në grupin H, ku bën pjesë edhe Shqipëria, por edhe duke rrezikuar vendin e parë në mbyllje të eleminatoreve, e sidomos duke u turpëruar në fushë. Golat e shënuar nga Jelçin Ajhan dhe Xhengis Ynder ishin minimum që meritonin djemtë e trajnerit Didie Deshamp, përballë një Turqie të frymëzuar, si në kohët e mëdha të së kaluara.

Trajneri Shenol Gynesh ndoshta po udhëheq skuadrën drejt një tjetër kulmi, si ai i Botërorit 2002, kur e nxorri në vendin e tretë. Kjo mjaftoi për euforinë e ligjshme në gazetat turke. “Sabah”: Ne duam që të shkruajmë historinë! Kombëtarja kampione e botës, Franca, u mund! “Xhumhurijet””: Ekipi kombëtar bëri historin! Mundi Francën, kampione të botës, dhe doli në krye të grupit në eleminatoret e Europianit!

Në Francë, ndërkaq, mediat nuk e kursyen kombëtaren. “L’Ekip”: Koka tjetërkundër! Blutë, të mundur bindshëm, i lëshojnë vendin e parë në grup Turqisë. Të martën, në Andorrë duhet të reagojnë dhe të kthehen në rrugën e duhur! “Lë Mond” ishte më telegrafik: “Eleminatoret e Euro 2020ës: Franca përkulet para Turqisë dhe humbet vendin e parë në grup! Ndeshja u bë edhe çështje politike në Paris, të paktën pjesërisht. Gazeta “Lë Parizien” thekson faktin që himni i Francës, Marsejeza, u vërshëllye nga tifozët, dhe se kryetarja e partisë së Bashkimit Kombëtar, Marinë Lë Pen, kërkoi që të vendoseshin sanksione ndaj Turqisë.

Trajneri i Francës, Didie Deshamp, i ra drejt pas humbjes. “Ne morëm një shuplakë të shëndoshë dhe të merituar, – tha ai, – kur skuadra luan në këtë mënyrë, nuk mund të thuash asnjë fjalë të mirë. Nuk ishim vetvetja, ndaj një skuadre që dha maksimumin, ndërsa ne nuk ishim aty. Nëse nuk luajmë siç duhet, e pësojmë kështu edhe pse jemi kampionë të botës. Përgëzime Turqisë, ndërsa ne duhet të bëjmë kthesë”.

Fitorja ndaj Francës, tregoi se Turqia jo rastësisht kishte arritur dy fitore më parë, 4-0 ndaj Moldavisë dhe 2-0 në Shkodër ndaj Shqipërisë. “Ne jemi këtu për t’u dhënë njerëzve shpresë dhe lumturi, – ishin fjalët e trajnerit Shenol Gynesh, – lojtarët dhe tifozët ishin të mrekullueshëm. Ne luajtëm me disiplinë, por edhe me zemër. Kemi 9 pikë dhe kemi një ndeshje të rëndësishme në Islandë. Shpresojmë të kthehemi me fitore”.

Presidenti i Federatës Turke të Futbollit, Nihat Ëzdemir, u shpreh ndërsa doli nga stadiumi, se kishte marrë një telefonatë përgëzimi nga presidenti Ergogan. Futbolli në Turqi shihet edhe si çështje krenarie kombëtare

Sfidanti.al