Nuk e mendonte kurrë se do të fitonte këtu. Eshli Barti kampione e “Rolan Garosit” duket si një sfidë ndaj logjikës, por tenistja nga Australia ia doli. Fitorja në finalen e Grand Slemit të Parisit ndaj adoleshentes çeke, Marketa Vondrusova, ishte e thellë, dhe shënjoi rikthimin e një talenti të madh.
Njëzetetrevjeçarja triumfoi 2-0 me sete, pa diskutuar asnjë moment, dhe me shifrat 6-1 e 6-3, duke marrë një revansh ndaj problemeve të mëdha të së kaluarës. Barti, një vajzë me origjinë autoktone australiane, pra jo me gjak 100 për qind europian, ishte një shpresë e madhe tenisi kur nisi karrierën, veçse në moshën 18-vjeçare vendosi të thoshte “Mjaft”.
Pas shumë viteve udhetime dhe turne, Eshli iu kushtua një sportit tjetër, kriketit, në vitin 2014, ku gjithashtu gjeti veten duke luajtur shumë mirë. Megjithatë, tenisi mbeti dashuria e saj e madhe, ndaj shpejt u kthye, pasi kaloi lodhjen dhe pasigurinë e moshës. Verën e kaluar, Eshli Barti fitoi Grand Slemin e saj të parë në karrierë, veçse në dyshe, duke fituar në US Open në krah të amerikanes Koko Vandeuege.
Specialiste në sipërfaqe me çimento, ajo nuk pritej të triumfonte në Paris, por ia doli, dhe u ngjit në vendin e dytë në renditjen botërore të femrave. Ishte suksesi i brezit të ri, me katër gjysmëfinaliste që nuk kishin qenë kurrë në këto nivele.
“Nuk mendoja se do të fitoja këtu, – tha ajo pas finales, – një aventurë e jashtëzakonshme këtu në Paris. Synoj të fitoj Grand Sleme të tjerë dhe të jem numri 1 i botës. Tenisi është një pjesë e pandarë e imja, por edhe kriketi më ndihmoi shumë, ishte një periudhë e shkëlqyer e jetës sime, pasi më pranuan dhe më respektuan. Ata njerëz i kam sërish miq”.
Prova e saj e radhës do të jetë në Uimbëlldon, dhe si një australiane e vërtetë, ajo mund të pretendojë suksesin në turneun më të famshëm të tenisit.
Sfidanti.al