Prag Itali-Uells, a do të lodhen të kaltrit për fitoren e tretë radhazi?!

Italia i ka ngjitur shpejt shkallët në hierarkinë e parashikimeve për Europianin e futbollit, dhe ekipi i trajnerit Roberto Mançini zbret sot në fushë për sfidën e fundit në grupin A. Luhet ndaj Uellsit në orën 18:00, në stadiumin “Olimpiko” të Romës, me italianët që kanë 6 pikë të plota, dhe që do të donin të bënin 11 fitore radhazi nën drejtimin e Mançinit. Kjo, edhe pse të kaltrit janë të kualifikuar, ndërsa uellsianët kanë nevojë të paktën për barazimin. Kapiteni Xhorxho Kielini nuk pritet të luajë, ndërsa Marko Verrati mund të kthehet në formacion në vend të Manuel Lokatelit. Mançini ka këtë analizë për prag-ndeshjen.

“Për ne ka rëndësi të luajmë sa më mirë futboll dhe të fitojmë, – tha ai, – nuk kemi objektiva të tjera. Parimi ynë është që të luajmë për fitore dhe do ta respektojmë. Verrati është më mirë, dhe besoj se do të jetë në fushë, pastaj do të shohim gjendjen e tij në fund të pjesës së parë. Sa për Uellsin, është një skuadër e fortë, është përmirësuar vitet e fundit, e fortë fizikisht. Ka katër pikë, pra nuk është ndonjë ekip pa vlera”.

Uellsi ka 4 pikë në grup dhe një barazim e kualifikon për në turin e dytë. Nëse arrin fitoren, do të dilte në vend të parë dhe do të kishte ndoshta short më të mirë. Trajneri kujdestar Rob Pejxh nuk ka probleme dëmtimesh e pezullimesh, por mund të bëjë disa ndryshime, dhe Harri Uillson e Neko Uilliams mund të aktivizohen. Kurrë më parë dy ndeshjet mes dy ekipeve nuk kanë dalë barazim, por kjo gjë mund të ndodhë këtë herë. Në ndeshjen tjetër të grupit, po në 18:00, Zvicra përballet me Turqinë me synim fitoren për të qenë ndër 4 ekipet e treta më të mira në grupin A, në mënyrë që të vazhdojnë konkurrimin më tej.

Sfidanti.al