Portugalia, gjysma e kampionëve të Francës mbeten jashtë listës së Santos

Pothuajse gjysma e ekipit të Portugalisë që triumfoi në “Euro 2016” do të mungojë në Botërorin “Rusia 2018”. Trajneri Fernando Santos ka thënë se kishte vështirësi për të përpiluar listën përfundimtare me 23 futbollistë, ku nuk është heroi i finales së Evropianit, sulmuesi Eder. Ai ishte edhe shënuesi I golit të fitores në finalen e “Euro 2016” ndaj Francës.

Gjithsesi, Eder është vetëm njëri prej dhjetë lojtarëve që nuk janë marrë në konsideratë nga Santos edhe pse ndihmuan Portugalinë të shpallet kampione e Evropës, për herë të pare në histyorinë e saj. Lojtarë e tjerë të pafat që nuk gjetën veten në listë janë mesfushorët Andre Gomes (Barcelona), Renato Sançes (Bajern Mynih), sulmuesi Luis Nani (Lacio), mbrojtësi Eliseu (Benfika), por edhe disa të tjerë.

“Si profesionist – ka thënë në prononcimin e fundit trajneri Santos – më është dashur të marr vendime të vështira dhe e di shumë mirë se jo të gjithë kanë mbetur të kënaqur me përzgjedhjen që kam bërë. Në fakt, më dhemb shumë që kam lënë jashtë listës lojtarë që ishin pjesë e Evropianit, si dhe ata që morën pjesë në eliminatore dhe ndihmuan ekipin të kualifikohet”, ka përfunduar tekniku portugez.