Sa shumë inflacion ka në tregun e futbollit. Për fat, ky treg nuk është si ai i energjisë, i ushqimeve apo i barnave mjekësore, por gjithsesi habia është e madhe. Monako kërkon 60 milionë euro për kartonin e Aurelien Çuamenit, mesfushorit të ri të Francës. Në moshën 21-vjeçare, i lindur në Ruen dhe i rritur në ekipet e moshave të Bordosë, Çuameni po cilësohet si “Pol Pogbaja i ri” dhe ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve. Reali i Madridit, Milani, Dortmundi, Çelsi, Juventusi janë disa nga emrat e mëdhenj europianë që e duan. Çuameni cilësohet udhëheqës në fushë, dhe ka shkëlqyer me Monakon aq sa trajneri i Francës, Didie Deshamp, e hodhi në fushë titullar dhe ai zëvendësoi me sukses ata që mungonin si Kante dhe Toliso. Lojtari me origjinë nga Kameruni u mor për 18 milionë euro nga Monako, që tani shpreson të përfitojë më shumë se trefishin.
Sfidanti.al