Pogba e mbushi kupën, Murinjo pranë një vendimi të prerë!

Pritej që të ishte një shpërthim dhe një konfirmim. Blerja prej rreth 105 milionë eurove e Pol Pogbasë nga Mançester Junajtidi, besohet se do të shërbente si “diamanti i kurorës” për skuadrën e Zhoze Murinjos, por ka ndodhur e kundërta. Francezi shumë i talentuar, por shumë pak i parë në fushë këtë sezon, shërbeu më shumë si një shkak shpërqëndrimi, si arsye për një tension të madh të  brendshëm në skuadrën më të lavdishme të Premier Ligës.

Pasi thuajse po përfundon sezoni, Zhoze Murinjo duket se ka parë mjaft, dhe se nuk ka nevojë për “prova” të tjera. Mediat britanike njoftojnë nga burime brenda “Old Trafordit” se trajneri portugez ka vendosur që “Pogbaja mund të largohet”. Mendohet se kjo është edhe dëshira e mesfushorit sulmues, ndërsa ka pasur shumë kritika këtë edicion, duke e nxjerrë Murinjon si fajtor për nivelin e yllit të Francës. Bashkë me Pogbanë, në verë mund të ikin edhe Antoni Marsiali, Dejli Blindi e Mateo Darmiani.

Vetëm 11 ditë më parë, Pep Guardiola zbuloi në konferencë për shtyp se Pogba iu ofrua Sitit nga agjenti i tij, Raiola, dhe ky fakt duket se ka peshuar edhe më “rëndë” për vendimin e Murinjos. Nuk dihet se cili mund të jetë zëvendësuesi i një ylli të përmasave të tilla, por Zhoze nuk e ka problem të shpenzojë, ndaj besohet se do ta gjejë.

Sfidanti.al