Nuk ka plan “B” për Realin e Madridit. Trajneri Zidan, pa ia hequr aspak meritën, është në gjendje që planin “A” ta paraqesë me lojtarë të ndryshëm, por me përfundim të njëjtë. Me mungesat e Kristiano Ronaldos, Sergio Ramosit, Garet Bejlit apo Toni Krosi, madrilenët nuk e patën problem që të fitonin 6-2, duke e shtuar rekordin e tyre në 57 ndeshje radhazi me gola të shënuar. Pati edhe një shkëlqim tjetër, ai i Alvaro Moratës që shënoi që në sekondën e 52-të të ndeshjes, goli më i shpejtë madrilen jashtë fushe që nga viti 2008.
Zidan la në stol edhe Kejlor Navasin, Kasemiron, Karvahalin, Modriçin dhe Benzemanë, por sërish mungesat nuk u ndjenë. Suksesi bëri që Reali të mbetej në kuotë të barabartë me Barçën, nga 78 pikë, kur duhen edhe 4 ndeshje deri në përfundim të kampionatit, por me ekipin kryeqytetas që do të luajë një ndeshje më shumë, atë të prapambeturën në fushën e Seltës së Vigos. Golat për fituesit u shënuan nga Morata në minutën e parë, Hames Rodrigez, Florin Andore (1-2 për vendasit), Lukas Vaskez, Hames Rodrigez, Isko dhe Kasemiro (që hyri në pjesën e dytë).
Sfidanti.al