Kristiano Ronaldo nuk shënoi, por kjo nuk mund të jetë një tragjedi. As Lionel Mesi nuk ia doli në El Klasiko me Barcelonën që humbi, dhe duket se të dy superkampionët nuk do të kenë titull këtë sezon. Juventusi e ka mësuar me kohë këtë gjë, ndërsa Barcelona ende shpreson, e në Torino po mendojnë për të ardhmen. Fitorja 3-1 ndaj Xhenoas ishte e rëndësishme për Championsin, që është i domosdoshëm nga ana financiare, por edhe me këtë kualifikim, asgjë nuk mund të jepet si e sigurt.
Cili do të jetë fati i Ronaldos? Po i Dibalës, dhe gjithashtu i Moratës? Drejtuesi sportiv juventin, Paratiçi, flet për Dibalën duke theksuar se Kovidi ka shkaktuar humbje të mëdha financiare, pra nuk dihet nëse do të ishte më mirë të mbahet argjentinasi, apo të shpëtohet nga rroga e tij e të fitohet një shumë e madhe prej kartonit. Morata mund të largohet, mund të mbahet në huazim, por edhe mund t’i blihet kartoni, por edhe kjo do të shihet në fund të sezonit. Sa për Ronaldon gjithçka është “top-sekret”, për momentin nuk thuhet gjë. Madje, nuk dihet me 100 për qind nëse Juventusi do të mbajë trajnerin Andrea Pirlo. “Unë i vë vetes notën 6 për këtë sezon, – thotë ai, – koncepti im është të dominojmë lojën, por nuk ia kemi dalë gjithnjë”. Presidenti Anjeli, Nedved dhe Paratiçi duhet të mendojnë për shumë gjëra.
Sfidanti.al