Nxënësi duhet ta kalojë mësuesin, ose të paktën duhet t’ia kalojë paraardhësit. Ky duhet të jetë ligji i jetës, dhe duket se kështu duhet të ndodhë me “pasardhësin e Andrea Pirlos”, Sandro Tonali. Djaloshi 20-vjeçar italian, një nga mesfushorët më të spikatur të sezonit në Serinë A, cilësohet si shembëlltyra më besnike e ish-regjisorit që shkëlqeu me Fanelën e Kaltër, me Milanin, Interin dhe Juventusin.
“Ai nuk është pasardhësi im, – thotë vetë Pirlo, – ai është shumë më i fortë sesa unë”. Një kompliment jo i vogël nga një legjendë e futbollit, që vërtet nuk ka shënuar shumë gola, por ka dhënë shumë kontribut për ekipet, duke luajtur 870 ndeshje e duke shënuar gati 90 herë me çdo fanelë. Ndryshe nga ai, Tonali ka luajtur vetëm 77 ndeshje e ka shënuar 6 gola, duke qenë 3 herë i thirrut tek Italia. Tonali e Pirlo janë të dy lombardë, të lindur pranë e pranë, i pari në Lodi, e i dyti në Bresha, kanë shtatlartësi të krahasueshme (1.81 m-1.77 m).
Pirlo ka fituar shumë në karrierë, plot 18 trofe me Milanin, Juventusin dhe Italinë, mes të cilëve 6 tituj në Serinë A, 2 Champions, 2 Kupa të Botës për klubet, 2 Superkupa të Europës, Kupën e Botës me Italinë në 2006, dhe Kampionatin Europian U21 me Italinë në 2000. Tonali do të ëndërronte që të arrinte këto suksese, ndonëse Pirlo ka bërë një parashikim edhe më të madh.
Sfidanti.al