Klubi i Flamurtarit ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me situatën e Lorenc Trashit, i cili është përjashtuar nga skuadra pas dyshimeve të ngritura për ndeshjen ndaj Bylisit. Në komunikatën e publikuar në rrjetet sociale, vlonjatët sqarojnë se bëhet fjalë për një masë të përkohshme.
Sipas klubit, paraqitja e lojtarit në këtë takim ka qenë larg pritshmërive dhe objektivave të vendosura nga stafi teknik. Po ashtu, theksohet se gjatë zhvillimit të ndeshjes janë evidentuar disa veprime që kanë ngritur dyshime, çka ka çuar në marrjen e këtij vendimi disiplinor.
URDHËR / VENDIM PËR PEZULLIM TË PËRKOHSHËM
Lënda: Përjashtim i përkohshëm nga ndeshjet zyrtare dhe aktiviteti i ekipit të parë – z. Lorenc Trashi
Në mbështetje të Kontratës Profesionale ndërmjet Flamurtari Football Club sh.a. (“Klubi”) dhe z. Lorenc Trashi (“Lojtari”), veçanërisht të dispozitave mbi detyrimet e lojtarit për profesionalizëm, kujdes në ushtrimin e veprimtarisë, bindje ndaj udhëzimeve të Klub-it, mosdëmtim të imazhit dhe konfidencialitet (nenet 4.1, 4.4.1, 4.5 dhe 4.6–4.9), si dhe të dispozitave mbi masat disiplinore (neni 6 dhe në veçanti nenet 6.1.2 dhe 6.1.3), si edhe në zbatim të Rregullores së Brendshme të Disiplinës së Klub-it, Klubi vendos marrjen e kësaj mase të përkohshme.
Pas analizimit të ndeshjes kundër KF Bylis të datës 21.03.2026 dhe të raportit teknik të stafit (“Raporti i Analizës së Ndeshjes”), u konstatua se performanca e Lojtarit ka qenë dukshëm nën standardet e kërkuara profesionale dhe nën objektivat e përcaktuara rast pas rasti nga Klubi për disiplinën taktike, vendimmarrjen dhe zbatimin e udhëzimeve të stafit teknik. Gjatë ndeshjes janë evidentuar veprime dhe vendimmarrje të rrezikshme dhe/ose në kundërshtim me udhëzimet e dhëna, të cilat kanë ndikuar negativisht në interesin sportiv të Klub-it, përfshirë episodin në minutat shtesë që çoi në akordimin e një penalltie dhe ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin e takimit.
Duke marrë parasysh rëndësinë e interesit të Klub-it për ruajtjen e disiplinës, besimit profesional brenda grupit dhe mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, si dhe faktin që çështja ka krijuar tension dhe ekspozim publik, Klubi vlerëson se është e nevojshme një masë e përkohshme dhe proporcionale, pa paragjykuar vlerësimin përfundimtar pas dëgjimit të Lojtarit dhe administrimit të plotë të provave.
VENDOS:
1. Të aplikohet ndaj z. Lorenc Trashi masa disiplinore e “përjashtimit të përkohshëm nga ndeshjet zyrtare” dhe “përjashtimit të përkohshëm nga stërvitjet/veprimtaritë e ekipit të parë”, në kuptim të nenit 6.1.2 dhe 6.1.3 të Kontratës.
2. Kjo masë ka natyrë të përkohshme/paraprake dhe nuk përbën konstatim përfundimtar fajësie. Masa zbatohet deri në përfundimin e procedurës së verifikimit dhe marrjen e vendimit përfundimtar.
sfidanti.al

