Përfundon “Pritja e Godosë”, Parlamenti miraton shpejt paketën ligjore për sportin!

Do ta marrin atë që duan. Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë këtë fillim tetori paketën ligjore për sportin, që cilësohet si ndryshim radikal dhe historik. Klubeve do t’u ulen nga tatimet deri në 20 për qind për investimet në sport. Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dijë se ky është premtimi i kryeministrit Rama, ndërsa Ministria e Financave dhe Tatimet nuk pranuan që shifra të rritej në 30 për qind, aq sa e ka Kosova. Aktualisht, ligji shqiptar njeh ulje deri në 3 për qind.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm do të jetë falja e kamatëvonesave dhe gjobave për mospagesën e tatimeve, duke u lënë vetëm detyrimin, dhe kjo mund të përgjysmojë borxhet e klubeve ndaj shtetit. Është ende në diskutim teknik zerimi i tatimit mbi pagat, pasi nuk është vendosur ende periudha, nëse kjo do të jetë 3, 5 apo 7-vjeçare, ndërsa klubet kishin kërkuar të paktën 5 vjet.

Në tryezën për reformën në sport, në mars të këtij viti, klubet kërkuan edhe që terrenet sportive t’u kalojnë atyre pa shpërblim, që TVSH të jetë zero për investimet në sport, si dhe të ketë kontribut 50 për qind i shtetit në investimet në infrastrukturë. Paketa ligjore pritet të kalojë në komisionin parlamentar për edukimin dhe mjetet e informimit, dhe pas tij në komisionin e financave dhe ekonomisë, si dhe në atë për çështjet ligjore.

Sfidanti.al