Prag Totenhem-Bajern, kush do ta fitojë duelin anglo-gjerman në Londër?!

Një duel i madh europian, edhe pse jo një klasike. Totenhemi e Bajerni vihen përballë njëri-tjetrit në stadiumin e ri “Uajt Hart Lejn”, në ndeshjet e dyta të Championsit, dhe spektakli pritet të jetë i gjithi. Londinezët, nënkampionë të Europës, duket se po e marrin veten në momentin e duhur, ndërsa bavarezët kanë lënë pas shqetësimet e verës, falë yjeve të vjetër e të rinj, mes të cilëve Filip Kutinjo, i huazuar nga Barcelona.

Pritet të jetë edhe dueli i dy sulmuesve të mëdhenj, Harri Kejn i Totënhemit e Robert Levandovski i Bajernit, personalitete që mund të vendosin të vetëm fatin e një ndeshjeje.

Bajerni udhëtoi i qetë drejt Anglisë, tashmë kryesues i Bundesligës, ndonëse niveli nuk është ende ai që pritet. Trajneri Niko Kovaç e di se nuk mund të bëjë gabime, pavarësisht fitores së parë në Champions ndaj Crvena Zvezdës. Bavarezët pritet të kenë mungesa, ndonëse tashmë ata kanë alternativa.

Qendërmbrojtësi francez, Lykas Hernandez, u dëmtua ndaj Paderbornit, dhe mbetet në dyshim. Kovaç pritet të aktivizojë Boatengun në krah të Niklas Zyles, ndërsa ka balotazh Kimih-Pavar në të djathtë të mbrojtjes. Leon Gorecka nuk mund të luajë, por Ivan Perishiç duket se e ka kaluar ftohjen, dhe Alaba është kthyer nga dëmtimi.

“Pres një duel tepër të vështirë, ndaj njërës prej skuadrave më të mira në Europë, – tha Kovaç, – jo më kot Totenhemi arriti vjet deri në finale. Anglezët janë shembulli më i mirë sesi duhet të krijohet një skuadër fituese, se çfarë do të thotë të kesh një trajner kompetent dhe drejtues të zot. Gjithsesi, ne jemi Bajerni dhe në çdo ndeshje luajmë për fitore. Mendoj se presioni do të jetë mbi Totenhemin, që luan në fushën e tij, dhe jo mbi ne”.

Anglezët, për fat, nuk kanë shqetësime të rëndësishme për lojtarët. Të dëmtuar janë vetëm Lo Selso dhe Sesenjo, por futbollistët kryesorë i përgjigjen apelit të trajnerit. Problemi kryesor për Maurisio Poçetinon është nisja jo e mirë e edicionit, në Premier Ligë dhe në Europë, ndaj kërkohet një përgjigje ndaj Bajernit.

“Shpresoj që ta fitojmë ndeshjen dhe të jemi në një pozicion më të mirë sesa ishim vjet në grupe, – u shpreh argjentinasi, – të mos harrojmë se vjet ne patëm vetëm 1 pikë pas tri ndeshjeve të para. Askush nuk besonte tek ne, por arritëm deri në finale. Ka rëndësi sesi nisesh, por më shumë rëndësi ka përfundimi. Duhet të jemi të fortë dhe me besim në vetvete. Dikur ishim në Ligën Europës, sot jemi në Champions bashkë me Barcelonën, Interin, Bajernin, Realin apo Mançester Sitin”.

Bajerni jepet favorit për fitoren, pavarësisht se luan jashtë fushe.

Sfidanti.al