Partizani, tani është një skuadër…

Fitore që mund të shërbejë si një pikë e madhe kthese në një sezon që po shkon drejt fundit të fazës së parë nga 4 që janë në total, pa llogaritur edhe ndeshjet play-off të finales katërshe. Skuadra e kuqe, për më tepër pa një trajner pas largimit të Zoran Zekic, tregoi se mund të tejkalojë çdo ngërç apo vështirësi pasi në ndeshje të tilla ka rëndësi karakteri dhe në këtë përballje të parë derbi, Partizani e pati me shumicë. Zgjedhjet erdhën nga njerëz që në fillim të sezonit nuk konsideroheshin linja të para çka do të thotë se në këtë skuadër nuk ka titullarë dhe lojtarë stoli.

Mungesat e Mba dhe Hadrojit nuk peshuan aspak në 90 minuta lojë me intensitet të lartë ku kampionët treguan se janë tashmë një skuadër e kompletuar dhe emri që do të ulet në stol për të drejtuar këtë grup, do ta ketë shumë të lehtë punën nëse nuk vendos të shkatërrojë dhe rindërtojë gjithçka nga e para. Mbështetja e tifozëve ishte jetike ndërsa të besuarit e Arbër Abilaliajt në fushë nuk reflektuan aspak mungesë besimi.

Vendimi për të aktivizuar Murataj në krahun e djathtë të mbrojtjes, zhvendosja e Carës në krah dhe aktivizimi i Bintcukës në majën e sulmit i dhanë të drejtë vlonjatit që më shumë se te skema, besoi te forca fizike dhe psikologjike e ekipit. Të shënosh një gol në derbi, atë të fitores, vetëm pak sekonda pasi ke pësuar atë të barazimit, nuk mund ta bëjë çdo skuadër dhe Partizani tregoi se është gati për t’i shkuar deri në fund edhe këtij sezoni.

sfidanti.al