Java e 10-të e Abissnet Superiores kulmon me sfidën, Vllaznia-Partizani. Dy skuadra që kanë bërë një paraqitje të mirë në fazën e parë të këtij sezoni, duke qëndruar në krye të renditjes dhe duke tregur qartë synimet për një vend në katërshen finale. Shkodranët e kanë fituar përballjen e parë, e tani të kuqtë do të kërkojnë sigurisht 3 pikët, edhe pse luajnë në transfertë. Partizani e nisi me humbje këtë sezon të Abissnet Superiores. Madje disfatën e parë ia shkaktoi pikërisht Vllaznia, kundërshtari me të cilin do të përballet të shtunën. Humbja me Vllazninë i pezmatoi të kuqtë të cilët mezi e morën veten. Por çdo gjë ndryshoi me ardhjen në stol të trajnerit Aleksandar Veselinoviç, i cili arriti të ngrejë moralin e futbollistëve, duke sjellë edhe rezultatet pozitive.
Partizani vjen në përballjen me Vllaznisë, si kryesues i Abissnet superioriores pas fazës së parë me 16 pikë, ndërsa Vllaznia në vendin e pesë me 14 pikë, por kuqeblutë kanë të njëjtat pikë sa Elbasani i vendit të katërt dhe Teuta e vendit të gjashtë. Dy pikë nuk janë një diferencë e madhe, po të mendosh se janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur. Megjithatë të dyja këto skuadra janë ndër pretendentet për në katërshen finale. Historiku i përballjeve midis Vllaznisë dhe Partizanit flet qartë për rivalitet.
Nga 59 ndeshje të luajtura deri tani, 18 i ka fituar Vllaznia dhe 20 Partizani, ndërsa 21 janë mbyllur në barazim. E duket se një ndeshje e bukur e plot rivalitet pritet të zhvillohet edhe të shunën në orën 19.30 në stadiumin “Loro Boriçi”, kur Vllaznia do të presë Partizanin. Të kuqtë synojnë fitoren për të ruajtur kryesimin në renditje, ndërsa të zotët e shtëpisë do të kërkojnë të rikthehen te fitorja pas humbjes me Laçin.
sfidanti.al