Partizani me shqetësime përpara derbit

Partizani ka disa shqetësime sa u përket dëmtimeve në prag të ndeshjes derbi. Atanaskoski dhe Sota dje kanë zhvilluar stërvitje të veçuar, teksa sot pritet të bashkohen me ekipin, çka është sinjal i qartë se do të jenë në fushë ndaj Tiranës. Mjaft optimiste është situata edhe për Carën, i cili ka pasur një shqetësim në pulpë gjatë ditëve të fundit, por me shumë mundësi do të jetë i gatshëm për derbin. Sakaq, edhe Bintsuka është në dyshim, por shanset për rikuperim janë të mëdha. Ndërkohë, edhe Koçijan pritet të jetë i gatshëm të dielën. Pjesa tjetër e të dëmtuarve do të vijojnë të jenë jashtë. Nëse rikthehet katërshja e sipërpërmendur, Partizani luan me rreshtimin “tip”. Pritet një formacion 4-3-3, me Hadrojn e Atanaskoskin në krahë dhe Sota e Sembene në qendër. Sakaq, Maget, Mehmeti dhe Rrapaj pritet të luajnë në mesfushë, teksa Cara, Bintsuka dhe Taipi me shumë mundësi do të përbëjnë treshen e sulmit. Ishkapiteni i Kukësit në ndeshjet e fundit është parë i spostuar si sulmues anësor dhe kështu pritet të ndodhë edhe në këtë sfidë ndaj Tiranës.

sfidanti.al