Paradoksi i Tiranës, tani ka fobi edhe nga tifozët e vet

Karakteristika e kampionateve te fundit, me të cilën mund të mburren vetëm shefat e futbollit shqiptar, ka qenë rrallimi gjithnjë e më shumë i tifozëve në shkallët e stadiumit. Këtë edicion, nëse mbledh numrin e spektatorëve për ndeshje do të ishte një rekord autentik, pasi pothuajse të gjitha skuadrat kanë zbritur në fushën e lojës të pashoqëruara nga mbështetësit e tyre të shkallëve. FSHF vazhdon të ndjekë politikën e dënimeve kolektive, pasi tifozët në këtë futboll të dyshimtë, të dhunshëm e që sjell trishtim, i trajton si dëshmitarë që nuk duhet të jenë prezentë. Ndërsa nga klubet, Tirana është ajo që ka befasuar më shumë, duke i konsideruar mbështetësit e vet jo si njerëz të shtëpisë, por si të huaj të bezdisshëm që duhen zbuar. Dhe përfundimi nuk mund të ishte ndryshe, përveçse ky i tanishmi, kur 24 herë kampionët e vendit kanë prekur sërish fundit dhe tashmë janë shumë pranë kthimit në Kategorinë e Parë.

Llogjika e përdorur në prag të ndeshjes ndaj Kastriotit ishte më e papërshtatshmja e mundëshme për një klub të madh. Nuk pranuan ta paguanin pjesën e mbetur të dënimit, sipas një pike në rregulloren absurde të Federatës, sepse kanë fobi nga tifozët e tyre, madje edhe e justifikuan me talent vendimin. Së pari u tha, por asnjëherë zyrtarisht, pasi prej kohësh Tirana është kthyer në një bunker, se ky shpenzim mund të rezultonte i kotë, duke pasur parasysh që tifozët nuk u treguan shumë entuzist në prag të derbit të fundit. Pra parashikohej një lloj bojkoti, gjë që mund të kthehej në një asist për Kastriotin, tifozët e të cilit janë më të dashur me skuadrën e tyre. Më pas ekzistonte frika, se nëse do të vinin, tifozët do të ishin kundër drejtuesve të klubit, si pothuajse gjithmonë kohët e fundit dhe do të ndikonin kështu negativisht tek ekipi gjatë ndeshjes. Dhe në fund nuk i hoqën drynët nga dyert, ndërsa ndeshjen jo vetëm nuk e fituan, por bënë një paraqitje si në pjesën më të madhe të këtij sezoni. Kjo është skuadra që mban të veshur uniformën tradicionale bardheblu dhe ata që e kanë ndërtuar e meritojnë të shahen nga pak, ndërsa divorci me tifozët është një ide shumë e keqe që të garanton vetëm dështim.