Një Milan që fiton mbetet “në bisht”, një Inter që “ha dru” në Napoli ende është në pozicion të mirë, ndërsa një Atalantë që barazon në fushën e kampionëve të Juventusit është në “pole position”. Kjo, gjendja për dy vendet e fundit në Champions në Serinë A, vendin e tretë dhe të katërt të renditjes.
“Kjo është një Atalantë rekordesh, – tha trajneri i saj, Gasperini, pas barazimit 1-1 në Torino, – edhe pse ishin të lodhur nga finalja e Kupës, sërish gjetëm forca për të marrë një rezultat. Na duhet të fitojmë ndeshjen e fundit, por gjithçka varet nga ne, kjo është më e rëndësishmja”.
Edhe Luçiano Spaleti këtë gjë theksoi pas “përmbytjes” së Interit të tij në “San Paolo”. “E kemi fatin në duart tona, mund të shkojmë në Champions nëse fitojmë ndaj Empolit, një ndeshje që është një finale”. Zikaltërit u shpërfytyruan në Napoli, përballë skuadrës vendase të Karlo Ançelotit që luajti një nga ndeshjet më të mira të sezonit. Zielinski, Mertens, Ruiz e sërish Ruiz dhanë shifrat deri në 4-0, para se Ikardi të shkurtonte diferencën.
Po Milani? “Championsi nuk varet nga ne, por nuk do të dorëzohemi, – u shpreh Gatuzo, – ndaj Frozinones patëm pak frikë, dhe duhet të falenderojmë Xhixhon (portierin Donaruma). E ardhmja ime? Unë do ta konfirmoja veten time në stol”. Donaruma shpëtoi Milanin duke pritur penallti në 0-0, pastaj Piontek e Suso shënuan golat. Kur duhet edhe një javë deri në fund, Atalanta ka 66 pikë, Interi 66 dhe Milani 65.
Sfidanti.al