Pret lumturinë e kthyer tek Shqipëria, dhe për momentin është i tillë në Zvicër. Taulant Xhaka u shpall kampion i Superligës me Bazelin, duke mbyllur sërish një sezon të madh. Ishte titulli i pestë radhazi për mesfushorin mbrojtës, titullar fiks i skuadrës më të mirë të shtetit helvet.
Siguria matematike u arrit me fitoren 2-1 në fushën e Lucernës, që e shkëputi Bazelin në 24 pikë diferencë ndaj vendit të dytë, Jang Bojsit, të cilit i mbeten vetëm 7 ndeshje për të luajtur. Sejdu Dumbia dhe Renato Shtefen ishin autorët e golave ndaj ish-ekipit të Jahmir Hykës, ndërsa për vendasit nuk mjaftoi rrjeta e Marko Shnojvlit.
Ky ishte kampionati i 20-të në historinë e Bazelit, dhe i teti radhazi, fakt që tregon qartë dominimin e këtij klubi. Me Bazelin kanë luajtur disa nga lojtarët më të mirë me origjinë shqiptare si Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka që janë me Zvicrën, dhe Taulant Xhaka që është me Shqipërinë.
Synimi i radhës i skuadrës së trajnerit Urs Fisher është që të fitojë Kupën e Zvicrës, në finalen që do të luajë në 25 maj ndaj Sionit. Po ashtu, të synojë fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Sfidanti.al