“Odisea e tifozëve”, ose vuajtja e florinjtë për Championsin

Dikur, në kohën para 1990-ës, Kinostudio “Shqipëria e Re” realizoi një film për përkrahësit fanatikë të futbollit, të quajtur “Odisea e tifozëve”. Nëse në atë kohë çmenduria të bënte të vije me biçikletë nga Shkodra në Tiranë, të shpërtheje dyert e trenave, të çaje kanatat dhe dritaret e autobusëve, apo të hipje në karroceri të ZIS-ve e Skodave, si makina rasti, sot “Odisea” vazhdon në mënyrë “moderne”.

Nga 100 000 tifozët e ardhur për Liverpul-Totenhem në finalen e Championsit, historitë janë nga më të ndryshmet. Biletat e udhëtimit direkt nga Anglia për në Madrid arritën në 1 000 paundë stërlina, ndërsa çdo dhomë hoteli në kryeqytet u prenotua dhe tani nuk ka më të lira (njëlloj si Prishtina, kur u shpall pavarësia e Kosovës në 2008). Si një “goditje vareje” mbi kokën e tifozëve ishte lajmi se këtë të premte mund të gjeje bileta me 100 paundë stërlina.

Me mijëra tifozë mbërritën në Madrid me makinat e tyre personale e familjare, shumë të tjerë bënë udhëtime ajore në qytete të tjera të Spanjës, apo edhe në vende fqinjë (si Portugalia apo Franca), për të mbërritur pastaj në Madrid me autobusë, makina apo trena. Fjetja është hall më vete, ndërsa shumë anglezë kanë ngritur tenda në një nga parqet më të mëdhenj të qytetit, madje ka nga ata që janë gati të flenë në dysheme, thjesht për të mos humbur rastin për të qenë pranë finales.

Tetë tifozë të Liverpulit të ardhur nga Kalifornia dhe Australia shpenzuan 45 000 euro së bashku në udhëtim. Njëri prej tyre, Marlon Majndel (Mindel) udhëtoi 25 orë me aeroplan nga Melburni, që i kushtoi rreth 2 300 euro, dhe po aq bleu biletën e ndeshjes, ndërsa shpenzimet e tjera shkuan edhe më shumë. Një tifoz i Totenhemit, Geri Tenent, rrezikoi shumë, por doli i fituar, pasi prenotoi biletën dhe hotelin që përpara sesa Spërsat të arrinin në finale, duke i blerë tepër më lirë se tani. Halli i fundit zuri qindra tifozë të Totenhemit, të cilëve iu vonua udhëtimi, dhe do të mbërrijnë në Madrid më pak se 5 orë para fillimit të ndeshjes.

Sfidanti.al