Nuk kaloi dot nga 13-ta tek 14-ta. Për Çelsin, numri “13” qëlloi ters, ashtu siç janë bestytnitë (edhe pse nuk humbi prej kësaj), dhe u rrëzua në momentin më të bukur, por edhe në një nga fushat më të vështira. Ishte Totenhem Hotspuri që fitoi derbin e Londrës në stadiumin e tij, “Uajt Hart Lejn”, duke i shkaktuar skuadrës së Antonio Kontes humbjen e parë që nga muaji shtator. Jo se ndryshoi ndonjë gjë të madhe në tabelë (blutë mbetën në krye me 5 pikë mbi Liverpulin), por gjithsesi ndezi edhe më shumë luftën për titull, dhe nuk lejoi që Çelsi të barazonte rekordin e fitoreve të Premier Ligës. Rekordi me 14 suksese radhazi, më i gjati në gjithë historinë e elitës së kampionatit anglez (që nga themelimi në 1888), do të duhet të thyhet një herë tjetër.
Talenti i ri dhe i madh, Dil Ejli (Dele Alli) shënoi të dy golat në një përballje të fortë, në prani të rreth 32 000 tifozëve. Të dyja rrjetat (45’ e 54’) ishin thuajse identike, a thua se mbrojtja mike nuk arriti ta kuptonte të parën. Në një pjesë të parë frenetike, Çelsi pati shansin të kalonte i pari në avantazh, por nuk ia doli, ndërsa gjendja emocionale e ekipit të Kontes u kuptua nga debati i nxehtë mes Pedros e Diego Kostës.
Çelsi mbetet në kryesim të Premier Ligës me 49 pikë pas 20 ndeshjeve, por shikoni sesi janë ngjeshur skuadrat pas tij: Liverpul 44, Totenhem 42, Mançester Siti 42, Arsenal 41, Mançester Junajtid 39.