Në Perth të Australisë u luajt një duel brezash. Rozher Federer, 35 vjeç, u ndesh me Aleksandër Zverevin, 19 vjeç, dhe u detyrua të provonte humbjen. Në një përballje të fortë të luajtur për Kupën Hopman, Federer përfaqësoi Zvicrën, ndërsa Zverev ishte me fanelën e Gjermanisë. Nëntëmbëdhjetë vjeçari ia doli 2-1 me sete, në një dramë të vërtetë, me rezultatet e seteve 7-6 (1), 6-7 (4) e 7-6 (4), ku në kllapa janë pikët e marra nga humbësi në lojën finale të çdo seti.
Zverev cilësohet si numri 1 i ardhshëm i botës, ndonëse në sport parashikimet duhen marrë me rezerva. Ai është djali i ish-tenistit rus me të njëjtin identitet, Aleksandër Zverev, por ka lindur në Hamburg dhe ka vendosur të përfaqësojë Gjermaninë. Zverev u bë më i riu tenist që hyn në 50 vendet e para ATP që nga koha e Novak Gjokoviçit, ndërsa tani mban vendin e 24-ët. Shumë shtatlartë (1.98 metra), ai ende duhet të bëjë gjëra të mëdha, pasi triumfet i ka tek të rinjtë (Australian Open për juniorët në 2014). Nëse do të bëjmë një krahasim, Boris Beker fitoi Uimbëlldonin për të rritur në moshën 17-vjeçare, ende sot e kësaj dite një rekord.