Nuk ka qetësi në “aksin” Madrid-Paris, dilemat Ronaldo-Nejmar!

Ronaldo nuk është i lumtur në Madrid, Nejmar nuk ka gjetur atë që kërkonte në Paris. Këto janë lajmet e mediave, informacionet e asaj që quhet “pushteti i katërt”, dhe që diku zbulon të vërteta, diku “tjerr” fillin e interesave të klubeve, futbollistëve dhe agjentëve, gjithnjë me synimin që të krijojë histori të bujshme. E tillë është kjo lojë, dhe e tillë edhe për emrat e mëdhenj të përmendur më sipër.

Ku do të jetë e ardhmja e 32-vjeçarit Kristiano Ronaldo? Po ajo e 25-vjeçarit Nejmar? Reali duket se nuk do t’i japë portugezit atë që kërkon, një rrogë të paktën të barabartë me Lionel Mesin (që do të fitojë mbi 30 milionë në vit, plus edhe ca shpërblime të mëdha). Presidenti Perez nuk është njeri që vendos me zemër, por me mendje të ftohtë dhe llogaritë nuk i dalin. Në të kundërt.

Perez, duket se, do të hidhet në sulm për “më të mirin”. Cili na qenka ky? Kush tjetër përveçse Nejmar. Mediat spanjolle njoftojnë se Madridi do të ketë gati 200 milionë euro për ta marrë nga PSG-ja. Jo se e tillë është klauzola, pasi Franca nuk lejon klauzola, por kjo mund të jetë shuma “magjike”. Transferimi nuk pritet verën e ardhshme, por verën e 2019-ës dhe kjo sepse Nejmar i ka premtuar PSG-së të luajë të paktën 2 vjet aty.

Po Ronaldo? Lajmet e fundit janë që CR7-ta ka autorizuar agjentin e tij, Zhorge Mendez, që të bisedojë me parizienët dhe duket se ai ka pasur “bisedime shumë të frytshme” në një hotel me përfaqësues nga Franca. Të shohim se çdo të dalë nga e gjithë kjo.

Sfidanti.al