Justifikime mund të nxirren sa të duash, por ndonjëherë duhet të pranosh se ishe dobët. Pep Guardiola ia vuri fajin sferës së topit në ndeshjen e tmerrshme të Kupës së Anglisë ndaj Uolvesit, ku ekipi i tij shpëtoi vetëm pas penalltive. Edhe pse në “Etihad”, kryesuesit e Premier Ligës u vunë me shpatulla pas murit nga kryesuesit e kategorisë së dytë, duke u shpëtuar nga portieri Klaudio Bravo.
“Një top i tillë nuk mund të përdoret në Kupën e Anglisë”, – u shpreh Pepi pas ndeshjes. “Këtë top nuk mund ta përdorin as në ligat e ulëta në Bregun e Fildishtë”, – ishin fjalët e Jaja Turesë, por e vërteta ishte ndryshe. Siti, ndoshta disi i vetëkënaqur pas një fillimi të madh të sezonit, u vu me shpatulla pas murit nga Uolvesi shumë më modest.
Trajneri i miqve, Nunjo Espirito Santo, e krahasoi mbrojtjen e ekipit të tij si mbrojtjen e trojanëve në Luftën legjendare të Trojës, 3 000 vjet më parë, dhe pati të drejtë. Veçse, Uolvesi jo vetëm u mbrojt. Ish-skuadra e famshme pati më shumë raste se Siti dhe u desh mbrëmja e madhe e portierit Bravo që të shpëtonte formacionin e Guardiolës.
Pikërisht Bravo mund të jetë një nga njerëzit më të rëndësishëm të sezonit për trajnerin katalanas. Ish-portieri i Barcelonës është tashmë i ambientuar më së miri me futbollin anglez, ndërsa padyshim që futbollin europian e njeh më së miri dhe kjo mund ta ndihmojë Sitin për ambiciet e tij.
Sfidanti.al