Një ketër bëhet protagonisti kryesor në stadiumin e milionave!

Nëse do të kishte qenë futbollist, do ta kishte mahnitur Pep Guardiolën. Një kafshë e vogël u bë protagoniste absolute përpara fillimit të ndeshjes së Mançester Sitit në Kupën e Anglisë. Fjala është për një ketër, i cili se nga e gjeti rrugën për të dalë në fushën me bar të stadiumit “Etihad”, duke ua sjellë mendjen rrotull për shumë minuta punonjësve vendas.

Fillimisht, njëri prej tyre e mbërtheu ketrin, por i kafshuar në dorë prej tij, e lëshoi menjëherë duke bërtitur nga dhimbja. Më pas nisi ndjekja, që ishte më e vështirë sesa të ndjekësh në fushë Lionel Mesin apo Kilian Mbapenë.

Për 10 minuta me radhë dy punëtorë të fushës provuan me shumë mënyra ta ndalonin, ta kapnin apo ta ndillnin ketrin, duke ia dalë më në fund. Gjatë gjithë kësaj kohe, turma e tifozëve prej dhjetëra mijë njerëzish u argëtua duke qeshur e duke lëshuar thirrje inkurajuese për kafshën e vogël.

Vetëm 30 cm i gjatë, gjysmë kile i rëndë, dhe me shpejtësi jo shumë të madhe, 20 km në orë, ketri përshkoi 90 metra nëpër fushë, duke i bërë “qole” njerëzit për 10 minuta. Nuk dihet se cili ishte i zoti i ketrit, por pa dyshim do të ketë kush ta “birësojë” atë.

Sfidanti.al