Nuk ka Shqipëri dhe as Kosovë, por ka gola shqiptarë. Adnan Januzaj ishte futbollisti i radhës me origjinë nga kombi ynë që shënoi gol në Botërorin rus. Mesfushori sulmues i Belgjikës, përfitoi nga roli i titullarit të dhënë nga trajneri Martinez ndaj Anglisë, duke shënuar një rrjetë vërtet të bukur.
Talenti i tij i rëndësishëm, i shkuar dëm për disa kohë, duket se tani i përket një profesionisti të vërtetë. Më herët, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri e Blerim Xhemaili shënuan për Zvicrën, edhe këta me shtetësi të dyfishtë dhe origjinë shqiptare. Një kënaqësi për shqiptarët, ndërsa nuk dihet se kush u kënaq më shumë në stadiumin e Kaliningradit, belgët që fituan apo anglezët që humbën.
Belgjika e mbylli grupin me sukses të plotë, 3 fitore në 3 ndeshje, ndërsa shorti në turin e dytë duket më i lehtë sesa ai i Anglisë, Japonia dhe jo Kolumbia. Gjithsesi, formacioni i shpikësve të futbollit duket se ia arriti qëllimit, pasi shmangu një çerekfinale potenciale ndaj Brazilit, dhe një krahu të shortit ku ndodhen edhe Portugalia, Uruguaj, Argjentina e Franca.
Sfidanti.al