Familja Ajeti është shumë e njohur për tifozët shqiptarë të futbollit. Arlind Ajeti është titullar i padiskutueshëm i kombëtares, me përjashtim të rasteve kur është i dëmtuar, por duket se një tjetër “pinjoll” mund të afrohet. Bëhet fjalë për Albian Ajetin, sulmuesin 19-vjeçar, që dje u bë protagonist duke dhënë spektakël në Zvicër.
Albiani shënoi 2 gola, duke realizuar përmbysjen e rezultatit në favor të Sent Galenit ndaj Sionit. Miqtë shënuan të parët me anë të Zverotiçit, dhe pastaj mbetën në inferioritet numerik, ndërsa Ajeti filloi “shfaqjen” e tij. Barazoi rezultatin në minutën e 63-të, dhe i dha fitoren Sent Galenit në minutën e tretë shtesë, duke i kaluar në delir tifozët vendas.
Ajeti i ri ka shënuar 5 gola deri tani në Superligë, aspak gjë e vogël për një 19-vjeçar, ndërsa edhe falë tij, skuadra mban vendin e 6-të në renditje pas 17 javëve. Albiani ka qenë pjesëtar i ekipeve kombëtare zinxhir të Zvicrës, dhe ende nuk ka marrë vendim se për cilin ekip përfaqësues do të luajë.