Afrika e Jugut është një vend i golfit, por edhe një vend i natyrës së egër. Dy elementët e shtetit në skajin jugor të kontinentit u takuan në “Kampionatin Alfred Danhill” që zhvillohet në kompleksin e golfit në “Leopard Krik”, në kufi me Parkun Kombëtar të Krygerit, një nga ekosistemet ku jetojnë kafshët e egra vendase. Golfisti Brandon Stoun, një afrikanojugor, po bëhej gati për një gjuajtje, kur atij i tërhoqi vëmendjen një krijesë masive që po i afrohej liqenit pranë fushës së golfit. Stoun ndaloi gjithçka dhe shkoi në buzë të fushës për të ndjekur lëvizjet e kafshës që ishte hipopotam. Soditja vazhdoi derisa “kali i ujit” u zhyt në liqen, për qejf të vet, duke e lënë sportistin duke treguar me dorë vendin ku ndodhej kafsha. Duket se Stoun pati fat nga kjo vizitë, pasi ndodhet në krye të renditjes së kampionatit.