Një shqiptar me tri pasaporta shpëton Sitin dhe Pep Guardiolën!

Lindi në Zvicër, por origjina e tij është nga Rozhaja, trualli shqiptar në Mal të Zi. Quhet Arjanet Muriqi (për malazezët Arijanet Muriç) dhe është portier i Mançester Sitit, madje një hero. Sjqiptari me tri pasaporta, dhe që luan për Kosovën, u bë vendimtar në Kupën e Ligës në fushën e Leisterit, duke pritur dy penallti.

Ndeshja përfundoi 1-1 dhe u kalua tek 11-metërshat, me Muriqin që ndaloi gjuajtjet e Xhejms Medisonit dhe Çaglar Sojunxhusë. Rahim Stërling gaboi një gjuajtje si Panenka për Sitin, ndërsa Fuhs gjuajti jashtë për vendasit.

Muriqi ishte vetëm në ndeshjen e tretë si titullar në portë, por kjo nuk e pengoi të hynte në historinë e Sitit dhe në zemrën e tifozëve. Portieri 20-vjeçar nuk është se pati shumë punë gjatë ndeshjes, me skuadrën e Pep Guardiolës që pati epërsi, ndërsa pësoi golin e barazimit në 73’ dhe autor Mark Albrajtonin. Kevin De Brujni kishte shënuar që në minutën e 14-të për Sitin, duke qenë lojtari më i mirë në fushë. Formacioni i Guardiolës mbetet në pretendime për të katër trofetë këtë sezon, ndërsa Muriqi shpreson të gjejë sa më shumë minuta për të luajtur.

Sfidanti.al