Reali dhe Ajaksi – në fazën nokaut të Championsit që nga viti 1973!

Shorti për në 1/8-tën e finaleve të Lidhjes së Kampioneve (LK) vuri përballë Realin e Madridit, tre herë kampion radhazi të LK-së, dhe Ajaksin e Amsterdamit. Kjo do të jetë një përballje mes dy klubeve gjigantë evropianë që kanë fituar 17 tituj në konkurrimin më të rëndësishëm mes klubeve. Spanjollët mund të jenë të kënaqur nga shorti, duke qenë se në gjashtë ndeshjet e fundit mes tyre ata kanë dalë triumfues ndaj homologëve të tyre holandezë.
Por, nëse kihet parasysh faza nokaut e konkurrimit më të rëndësishëm evropian, ekipi holandez ka triumfuar në të vetmen ndeshje mes tyre, në vitin e largët 1973. Atëkohë, në gjysmëfinale, Ajaksi triumfoi në të dyja ndeshjet, ndërkohë që në finalen e madhe, të zhvilluar në “Marakana” të Beogradit, ekipi amsterdamas mundi Juventusin. Dhe, nëse kihen parasysh rezultatet që ka arritur klubi “mbretëror” gjatë këtij sezoni, atëherë shanset në LK janë në favor të Ajaksit. Sidoqoftë, Reali e ka treguar me vepra se edhe kur ka probleme në kampionatin vendas, ai ka një motivim të veçantë, kur luan në LK.
Sfidanti.al