Nis epoka e VAR-it në Ballkanin Perëndimor, Kroacia e bën “sefte” në 31 janar!

Nuk janë të parët në gadishull, pasi Turqia dhe Greqia e kanë bërë më parë. Gjithsesi, nuk është keq që Kroacia vendos t’ia besojë të ardhmen VAR-it, pra sistemit të ndihmës së gjyqtarëve, me teknologjinë që po përhapet në të gjithë Europën. “Sefte” do të jetë në 31 janar, në ndeshjen e kampionatit mes Interit të Zapreshiqit dhe Istrës. “Futja në përdorim e VAR-it është një hap i madh për Federatën Kroate të Futbollit, – u shpreh sekretari i përgjithshëm i saj, Marijan Kustiç, – duam që t’u kthejmë besimin shikuesve, që është dëmtuar shumë, dhe kjo është lëvizje shumë e mirë. VAR-in do ta përdorim në të gjitha ndeshjet e kampionatit, dhe në kupë”. Presidenti i komisionit të gjyqtarëve, Ante Kulushiç, shprehet se “kemi 1 vit e gjysmë që merremi me këtë projekt, dhe tani morëm miratimin, me VAR-in do të rregullojmë 95 për qind të gabimeve, por do të ndikojë edhe faktori njerëzor”.

Sfidanti.al