Nga rekordi i Lenjanit, tek sharjet e Sadikut, fundjavë shqiptarësh në Zvicër!

Nuk u desh të pritej shumë. Ermir Lenjani realizoi për vetëm 10 sekonda në Zvicër, duke vendosur një rekord. Në të vërtetë, ky ishte barazimi i rekordit të mëparshëm, arritur nga një tjetër lojtar i Sionit, Musa Konate në vitin 2015. Në ndeshjen Sion-Lucern, që përfundoi 2-2, futbollisti shqiptar dha edhe asistin për golin e dytë të skuadrës së tij.

“Po kaloj një formë shumë të mirë, – deklaroi ai për kamerat pas ndeshjes, – më në fund kam lënë pas vështirësitë dhe po jap përsëri maksimumin”. Lenjani reagoi edhe në rrjetet sociale. “Shumë i lumtur që jam futur në historinë e futbollit zviceran për golin më të shpejtë, – shkruajti ai në FB, – falenderimi i takon Zotit!”.

Lenjani shënoi dy gola në një ndeshje, pak ditë më parë, dhe shpreson të kthehet në kombëtaren shqiptare, tani që Kristian Panuçi është larguar. Shqiptari i Kosovës kishte deklaruar publikisht se nuk do të pranonte ftesë sa kohë që në stol të ishte italiani.

Duke u kthyer në Zvicër, duhet thënë se ishte fundjava e shqiptarëve. Armando Sadiku po ashtu u bë lajm, dhe jo vetëm sepse shënoi gol. Menjëherë pasi kaloi në epërsi Luganon në fushën e Bazelit, sulmuesi i kombëtares shqiptare shpërtheu me të shara. Besohet se e kishte me trajnerin e tij, i cili e kishte lënë në stol, dhe e aktivizoi vetëm në fillim të pjesës së dytë.

“I shava nga pak të gjithë, – deklaroi Sadiku pas ndeshjes, – unë i tillë jam, isha i zemëruar me të gjithë, edhe me veten time, pasi pretendoj më shumë”. Trajneri Çelestini nuk e bëri dramë, duke deklaruar se “nëse Sadiku zemërohet me mua dhe më shan, por ama shënon, atëherë jam shumë i lumtur”. Lugano mori një pikë të rëndësishme në fushën e Bazelit, me barazimin 1-1, dhe shpreson mbijetesën në Superligën e Zvicrës.

Sfidanti.al