Nga Malaga e Spanjës, deri në Kroaci, ka “Lutemi për Shqipërinë”!

Nuk është La Liga, por sërish jemi në Spanjë dhe shikueshmëria është e madhe. Ishin pra të shumtë ata që ndoqën drejtpërdrejt, si dhe më pas të regjistruar, gjestin e madh të Malagës, në prag të ndeshjes në fushën e Numansias në ligën e dytë spanjolle. Futbollistët e ekipit, ku bëjnë pjesë Armando Sadiku dhe Keidi Bare, kishin veshur fanela të bardha me mbishkrimin “Lutemi për Shqipërinë”, mbi uniformat e zakonshme.

Veprimi i tyre u vlerësua gjerësisht nga tifozët dhe nga opinioni spanjoll, që është i informuar për tërmetin dhe viktimat e shumta që la ai në Shqipëri. Malaga, kuptohet, u ndje e detyruar për të dhënë mesazhin, sidomos sepse në radhët e saj luajnë dy lojtarë të kombëtares së Shqipërisë si Sadiku e Bare.

Ndeshja përfundoi 0-0, një rezultat i mirë për një skuadër si Malaga që ndodhet në vendin e pestë nga fundi në renditje, ndërsa Sadiku luajti shumë mirë, e po ashtu Bare u përpoq fort. Bare bëri edhe një reagim në rrjetet sociale. “Falenderimi për gjestin fisnik i takon Malagës, – shkruajti ai, – dhe sigurisht shokëve të skuadrës që na mbështetën në këto ditë të vështira për Shqipërinë. Zoti iu dhënë forcë për të përballuar këtë tragjedi, shqiptarët e mi. Bashkë jemi më të fortë!”

Një tjetër gjest i bukur, në lidhje me tërmetin në Shqipëri, ndodhi në Kroaci. Kjo, në ndeshjen e Ligës së Parë mes Lokomotivës së Zagrebit dhe Goricës, ku lojtarët shqiptarë të vendasve shënuan dy gola. Në fushë ishin katër shqiptarë, Myrto Uzuni, Lirim Kastrati, Jon Mersinaj dhe Enis Çokaj.

Kastrati kaloi Lokomotivën në epërsi dhe më pas shpalosi një fanelë të bardhë ku ishte stampuar flamuri kuqezi me diçiturën “Lutemi për Shqipërinë”. Fanelën me flamurin shkoi dhe e puthi Jon Mersinaj. Goli i dytë u shënua pikërisht nga Myrto Uzuni, ndërsa Lokomotiva fitoi me shifrat 4-0.

Sfidanti.al