Fillimisht u bë çështje që nuk mund të stërviteshin në stadiumin ku do të luajnë sonte ndaj Austrisë. Kombëtarja e Italisë nuk e provoi dot tapetin e “Uemblit” për shkak se autoritetet britanike konfirmuan se bari mund të dëmtohen për shkak të ngarkesës që ka pasur këto ditë. Pas kësaj erdhi caktimi i një arbitri anglez për sfidën e orës 21:00 dhe frika e mediave italiane ishte e madhe. “Kujdes, arbitër anglez, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – zoti Tejlër mund të dojë që Italia të humbasë. Caktimi i tij u ka shkaktuar të dridhura italianëve. Tejlër mund të jetë kundër nesh për shkak se kryeministri Dragi dëshiroi t’a hiqte Anglisë finalen e Europianit, sepse në Angli ka rritje të rasteve me Kovid”. Sipas të përditshmes italiane, Dragi ka pasur mbështetjen e Kancelares gjermane, Angela Merkel, për t’ia hequr këtë ndeshje të madhe Anglisë, duke i dalë kundër planit të presidentit të UEFA-s, Çeferin. Nuk dihet nëse zoti Tejlër do të mendojë pikërisht kështu, apo ndoshta kështu kanë menduar edhe arbitrat e finales së vitit 1966 në Londër që e dhanë të rregullt golin e shënuar nga Xhef Hërst, duke i siguruar Anglisë titullin botëror kundër Gjermanisë Perëndimore.
Sfidanti.al