Vetëm Vllaznia e Shkodrës ka dalë fituese nga ndeshjet e para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë luajtur në orën 14:00. Skuadra shkodrane triumfoi 1-0 ndaj Teutës në fushën e saj, falë një goli të bukur shënuar nga Alsid Tafili në pjesën e parë. Durrsakët luajtën mjaft mirë, por i shpërdoruan mundësitë që krijuan për të shënuar, qoftë në pjesën e parë, qoftë në të dytën. Vllaznia shkon me rezultat të favorshëm në ndeshjen e kthimit në Durrës, por Teuta e trajnerit Magani do të kërkojë ta përmbysë dhe të kualifikohet për në gjysmëfinale.
Në Laç, vendasit ishin shumë pranë fitores, por Skënderbeu shpëtoi në fund. Kanapari, i futur në fushë në minutën e 60-të, realizoi 9 minuta më vonë duke kaluar kurbinasit në avantazh. Korçarët këmbëngulën për të barazuar, po ia arritën qëllimit vetëm në minutën e dytë shtesë. Autori i golit të barazimit ishte mbrojtësi Tefik Osmani, dhe me këtë rezultat, ekipi i drejtuar nga trajneri Ilir Daja është shumë më pranë kualifikimit për në gjysmëfinale.