Në 13 ndeshjet e fundit të Championsit, ka shënuar 13 gola, ndërsa ishte i paprekshëm në duelin më të madh të karrierës (përjashto finalen ndaj Bajernit). Kilian Mbape pati një mbrëmje të jashtëzakonshme në Ligën e Kampionëve, duke i dhënë fitoren 1-0 Paris SG ndaj Realit në duelin e parë, e duke pasur shpresë për të realizuar kualifikimin në Madrid. Komentet mediatike për 23-vjeçarin ishin bombastike duke u quajtur “spektakolar”, “tmerrues”, “vendimtar”, “më i miri i planetit për momentin”. U desh një Tibo Kurtua në formë të shkëlqyer që të pengonte PSG-në të fitonte thellë, duke ndaluar Mbapenë, Mesin dhe të tjerët.
Pas ndeshjes, Mbape u bombardua me pyetje dhe u përgjigj me stil. “Nuk e kam vendosur ende të ardhmen time, – tha ai, – unë jam lojtar i Paris SG, dhe jam i lumtur këtu. Të dy klubet janë të mëdhenj. Kjo përballje nuk do të përcaktojë të ardhmen time. Duam që të kualifikohemi, të jemi gjithnjë në netë të mëdha si kjo. Është edhe ndeshja e kthimit, por është edhe kampionati, dhe le të mendojmë më pas për ndeshjen e 9 marsit. E kisha thënë se doja të jepja gjithçka për të ndihmuar PSG-në, duam titullin”. Mbape u shpall edhe lojtari i ndeshjes, ndërsa tashmë thuhet se ai është Princi i Parisit.
Sfidanti.al