Ndryshon historia, shqiptarët “pushtojnë” Turqinë

Pas Serie A, Turqia është kthyer në një “oaz” për futbollistët shqiptarë. I fundit që iu bashkua kolonisë kuqezi ishte Ernest Muçi, me Beshiktash që pagoi 10 milionë euro për ta marrë nga Legia e Vershavës. Ish futbollisti i Tiranës është përshtatur në kohë rekord me klubin e ri, i kthyer në titullar të padiskutueshëm. Pasi dhuroi show në kampionat, ku realizoi edhe golin e tij të parë, Muçi zbriti titullar edhe në Kupën e Turqisë, në derbin kundër Konyaspor. Pavarësisht se nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës, Muçi ishte protagonist absolut në suksesin e pastër 2-0 që i dhuroi Beshiktashit një biletë për në fazën gjysmëfinale. Në përfundim të sfidës, klubi i Beshiktash i dedikoi një status Muçit, shoqëruar komplimentin: “Maestro”. Te Beshiktash drejtuesit e klubit, por dhe tifozët, janë të shumë të kënaqur me formën e shfaqur nga Muçi, jo vetëm kaq, por sipas mediave turke, sezonin e ardhshëm, klubi i shqiponjave planifikon të formojë një tredhëmbësh shqiptarësh, teksa kërkojnë edhe shërbimet e Rey Manaj. Sulmuesi kuqezi po shkëlqen me fanellën e Sivasspor teksa ka shënuar 18 gola këtë sezon. 15 milionë euro vlerësohet kartoni i Rey Manaj, shifër që Beshiktash kërkon ta paguajë.

sfidanti.al