Ndryshime te Partizani, të kuqtë pa sulmues

Partizani do të përballet me një verë të ngarkuar në merkato, ku prioritet mbetet rindërtimi i repartit të sulmit. Klubi kryeqytetas ka humbur dy nga figurat kryesore të ofensivës në merkaton e janarit, Tedi Cara dhe Kristian Mba, të cilët për një kohë të gjatë kishin mbajtur peshën e skuadrës në fazën sulmuese. Largimet e tyre lanë një boshllëk të dukshëm, të cilin drejtuesit tentuan ta mbushnin përmes afrimeve të reja gjatë dimrit.

Gjatë pjesës së dytë të sezonit u bashkuan disa emra të rinj në ofensivë, por performanca e tyre nuk ka përmbushur pritshmëritë. I vetmi që ka arritur të shfaqë një nivel të kënaqshëm është nigeriani Eleke, i cili ka qenë ndër të paktët që ka kontribuar në mënyrë të qëndrueshme.

Megjithatë, edhe qëndrimi i tij në skuadër nuk është i garantuar, pasi kontrata aktuale përfundon në muajin qershor dhe rinovimi mbetet i pasigurt.

Klubi ka një opsion për zgjatjen e marrëveshjes, por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar në këtë drejtim.

Një tjetër futbollist që pritet të largohet është sulmuesi kongolez Bintsuka. Kontrata e tij përfundon zyrtarisht në fund të sezonit dhe mësohet se lojtari nuk do të rinovojë, me synimin për të vijuar karrierën në një kampionat me profil më të lartë. Partizani do të detyrohet të ndërhyjë në rindërtimin e fazës sulmuese për sezonin e ardhshëm. Largimet e mundshme të Eleke dhe Bintsuka, së bashku me mungesën e një qëndrueshmërie nga sulmuesit aktualë, e bëjnë të domosdoshme afrimin e një sulmuesi qendre, që jo vetëm të zëvendësojë boshllëqet, por edhe të konkurrojë me lojtarin aktual në këtë pozicion, Albers Kekon.

Gjithashtu, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe lojtarëve që luajnë në krahët e sulmit. Deri më tani, asnjë nga futbollistët e aktivizuar në këto pozita nuk ka arritur të bindë stafin teknik apo drejtuesit e klubit me paraqitjet e tij. Në këtë aspekt, Partizani pritet të analizojë situatën kontraktuale dhe teknike të emrave si Vujnoviç dhe Podstrelov, për të marrë një vendim për të ardhmen e tyre.

sfidanti.al