Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, është pjesë e listës së golashënuesve më të mirë të Ligës së Kombeve, për edicionin 2024-2025. “Pirati” dardan ka gjetur pesë herë rrugën e golit në gjashtë paraqitje në edicionin e sivjetshëm të Ligës së Kombeve. Muriqi nuk shënoi në ndeshjen e parë ndaj Rumanisë në xhiron e parë të këtij edicioni, por shënoi dy gola në udhëtim me Qipron në muajin shtator. Gjatë tetorit, Muriqi nuk ishte fare i ftuar për ndeshjet ndaj Lituanisë e Qipros, shkak i një lëndimi në këmbë. Golin, Muriqi nuk e gjeti as në ndeshjet ndaj Rumanisë e Lituanisë, por më pas shkëlqeu në “play-off”-in për ngjitjen në Ligën B të këtij kompeticioni.
Në duelin e parë ndaj Islandës në Prishtinë, Muriqi nuk arriti të tundë portën e kundërshtarit për 88 minuta lojë, megjithatë dukej se i kishte rezervuar golat për takimin e kthimit. Sulmuesi dardan shënoi tregolësh në përballjen e djeshme ndaj Islandës, për ta gjetur më pas vetën në listën e top golashënuesve në këtë edicion të Ligës së Kombeve, së bashku me disa emra të mëdhenj të futbollit europian.
Viktor Gyokeres kryeson listën me nëntë gola të shënuar, pas tij janë Erling Haaland e Georges Mikautadze me nga shtatë. Më poshtë në listë janë Razvan Marin e Cristiano Ronaldo me nga gjashtë gola. Sa Muriqi, 5 gola kanë edhe Orri Oskarsson e Benjamin Sesko. Vedat Muriqi ka 31 gola të shënuar me kombëtaren e Kosovës në 60 paraqitje në të gjitha garat.
sfidanti.al