Murinjo fiton edhe me gjysmë ekipi, Lampardi të ruhet nga Abramoviçi!

Deklaroi përpara ndeshjes se do të donte të luftonte në Kupën e Ligës, por nuk e ka të mundur. Kishte një lloj të drejte Zhoze Murinjo, pasi Totenhemi i tij ka 4 ndeshje në 8 ditë, por e mori të paktën një kënaqësi pasi eleminoi ish-ekipin e tij Çelsin. Edhe pse me një ekip “gjysmagjel”, sërish Spërsat ia dolën në stadiumin e tyre pas gjuajtjes së penalltive. Në fushë nuk ishin as Harri Kejn, as Son dhe as Lukas Moura, ndonëse Kejn e Moura hynë në gjysmën e dytë të pjesës së dytë. Çelsi ishte disi më i plotë me Vernerin, Zhirunë, Regilonin, Mauntin, Kovaçiçin, Zhorzhinjon, Çiluellin, Azpilikuetën dhe portierin e ri Mendi. Gjithsesi, penalltitë përfunduan 5-4 për vendasit, ndërsa 90 minutat 1-1, me gola shënuar nga Verner për miqtë dhe Lamela për vendasit. Tek penalltitë gaboi vetëm Maunti. Lampardi mbetet më mirë në duelet me Murinjon (2 fitore, 2 barazime), por pas shpenzimit të mbi 230 milionë paundëve stërlina në verë, ai duhet të ketë rezultate, ndryshe pronari Roman Abramoviç mundet edhe ta shkarkojë.

Sfidanti.al