Muçi ka marrë ftesën e Sylvinhos

Ernest Muçi do të jetë pjesë e Shqipërisë në Euro 2024. Edhe pse Sylvinho, trajneri i kombëtares kuqezi, do të prezantojë të hënën (16:00) listën e lojtarëve që do të marrë me vete në Gjermani, klubi i Besiktasit ka bërë me dije se sulmuesi i talentuar ka marrë ftesën për të qenë pjesë e Shqipërisë, së paku në grumbullimin paraprak. Në sajtin zyrtar të bardhezinjve nga Stambolli është prezantuar lista e lojtarëve që do të angazhohen me përfaqësueset e tyre gjatë verës, e mes tyre rezulton dhe Ernest Muçi. Kujtojmë se në fillimin e këtij vitit, Besiktasi shpenzoi plot 10 milionë euro për të blerë kartonin e 23-vjeçarit nga polakët e Legias. Muçi është përshtatur shpejt në Turqi. Në kampionat ka shënuar 3 gola në 13 ndeshje, ndërkohë që e gjeti rrugën e rrjetës dhe një herë në Kupën e Turqisë, në 4 prezencat e tij. Duke realizuar golin vendimtar që kualifikoi Besiktasin në finale. Sulmuesi ia doli që bashkë me skuadrën e tij të fitonte dhe trofeun e Kupës pak ditë më parë. Me shumë interes pritet lista e Sylvinhos, teksa kanë nisur të zbulohen emrat e parë që pritet të jenë pjesë e saj. Krahas Muçit që u zyrtarizua nga klubi turk, në kryeqytet kanë mbërritur dhe Jasir Asani e Armando Broja. Sinjale që me shumë gjasa do të vihen nën urdhrat e stafit teknik për ndeshjet e muajit të ardhshëm. Shqipëria do të përfaqësohet nga 26 futbollistë në Gjermani 2024. Lojtarët fillimisht do të grumbullohen në Shqipëri e më pas në fundin e muajit maj do të udhëtojnë drejt Austrisë.

sfidanti.al