Mos do përmbyset bota? Ekipi amerikan i femrave të futbollit mundet 0-3 në Tokio!

Janë favoritet për të fituar sërish arin olimpik, siç e kanë bërë 4 herë, ndërsa janë kampione të botës në fuqi. Gjithsesi, “spaletat” jo gjithnjë mjaftojnë dhe vajzat amerikane të futbollit e nisën me humbje të rëndë aventurën në Tokio 2020. SHBA u mund 0-3 nga Suedia në Stadiumin e Tokios, në prani të 0 spektatorëve, me golat e shënuar nga Blakstenius dy herë dhe Hurtig. Amerikanet patën në fushë disa lojtare të shquara si Aleks Morgan apo të tjera, por kapitenia Megan Rapinou ishte në stol dhe hyri në fushë në minutën e 64-ët. “Kjo nuk ishte ndeshja që donim, por ka ende shumë turne për t’u luajtur, – shkruajti federata amerikane e futbollit, – do të jemi në fushë që të shtunën”. Amerikanet kishin 44 ndeshje radhazi pa humbje!

Sfidanti.al