Momenti i Manajt me Barcelonën, Venecia e fton në Serinë A!

Shansin duhet ta shfrytëzosh dhe kështu bëri edhe ai. Rej Manaj papritur është bërë një nga emrat e njohur të Barcelonës, dhe sulmuesi shqiptar është shumë më i kërkuar në tregun e futbollit. Për sulmuesin e kombëtares shqiptare është shtuar edhe interesimi i një tjetër klubi, pikërisht Venecias që sapo është ngjitur në Serinë A italiane. Trajneri Paolo Xaneti, sipas mediave italiane, ka në planet e tij Manajn dhe sulmuesin tjetër Mbaje Niang, për të ndërtuar një ekip të denjë për elitën e Italisë.

Nuk harrohet të theksohet se shqiptari është lojtar i shkollës së Interit të Milanos, se ka luajtur për disa skuadra në Itali e në Spanjë, dhe se shënoi 3 gola në debutimin e tij për ekipin e parë të Barcelonës, në fitoren 4-0 ndaj Nastikut. Përveç Venecias, besohet se interesim të madh për Manajn kanë edhe Famalikao nga Superliga e Portugalisë dhe Kadisi nga La Liga e Spanjës. Barcelona e mori sulmuesin 24-vjeçar 2 vjet më parë nga Albasete, duke paguar të paktën 2 milionë euro, dhe kërkon t’i marrë mbrapsht këto para, mundësisht edhe më shumë, ndërsa klubi kalon krizë financiare. Për momentin, Manaj vazhdon të stërvitet me ekipin e parë katalanas dhe vazhdon ta ndjejë veten pjesë të Barcelonës.

Sfidanti.al