Elseid Hysaj besohet se do të vazhdojë tek Napoli, dhe do të ketë fatin të jetë edhe më tej me trajnerin e tij të dashur, Mauricio Sarri. Karakteri i fortë italian e tregoi edhe një herë një nga cilësitë e tij më të mëdha, modestinë, por edhe humorin, ndërsa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve përpara ndeshjeve me skuadra të tilla me emër si Atletiko Madrid, Bajern apo Liverpul, pikërisht në Kupën Audi në Mynih. “Kur mendoj se do të jem pranë emrave të tillë si Simeone, Ançeloti apo Klop, më duket vetja sikur jam një i huaj, një i hyrë gabimisht aty, – tha ai duke qeshur, – bëhet fjalë për trajnerë të mëdhenj dhe të suksesshëm”.
Sarri ndoshta nuk ka arritur ende deri tek ato suksese, por sidomos sepse ai është në stolin e Napolit, një ekipi që lavdinë e ka pasur në kohën e Maradonës 30 e kusur vjet më parë. Gjithsesi, dy herë radhazi në Champions nuk është gjë e vogël, edhe pse këtë herë jo direkt në fazën e grupeve. “Ndeshjet do të jenë të rëndësishme, – komentoi ai, më pas, me seriozitet, – pasi do të luajmë në plej ofin e Ligës së Kampionëve. Skuadra është në rritje dhe do të provoj të gjithë lojtarët që kam në dispozicion”.
Sfidanti.al