Lokomotiva e Moskës ka rritur çmimin e mbrojtësit të majtë të Shqipërisë Mario Mitaj në e pakta 8 milion euro pas raportimeve se Juventus është vënë pas tij. Lojtari kuqezi luan që nga viti 2022 me klubin moskovit që e bleu nga AEK i Athinës për 3 milion euro, kur ai ishte vetëm 19 vjeç. Juventus e ka ndjekur Mitajn në ndeshjet e kombëtares shqiptare, përfshirë edhe miqësoret e fundit, në Parma e Stokholm, përkatësisht kundër Kilit e Suedisë. Ai ka marrë vlerësime të mira sidomos për ndeshjen e dytë, në radhë të parë nga vetë trajneri Silvinjo, ndërkohë që te Juventus është rekomanduar edhe nga ish-trajneri Edi Reja por sidomos nga Massimo Carrera, ish-trajner i AEK-ut që kaluar vite në klubin torinez, si lojtar dhe anëtar i stafit teknik. Nga ana e Juventusit është bërë e ditur se nuk ka pasur bisedime me klubin rus për Mitajn, por e përditshmja torineze Tuttosport shkruan se kanë nisur kontaktet e para dhe se Lokomotiv e vlerëson lojtarin midis 8 e 10 milion eurove, një shifër që shkon te trefishi i parave të investuara për ta blerë nga klubi grek.
sfidanti.al