Tre ndeshje, 270 minuta, në total futboll me shumë luhatje por një skuadër që klasën e kalon me notën minimale edhe pse ndoshta do të kishim pritur diçka më shumë nga ky europian. Grupi i “vdekjes” nuk rezultoi të ishte tërësisht kështu pasi Italia me limite të theksuara dhe Kroacia e cënueshme mund të kishin lënë më shumë pikë përballë kuqezinjve, ndërsa sfida e fundit nuk duhet marrë në konsideratë për shkak të një skuadre me kalibër dukshëm më të madh ndaj së cilës si për ironi, zhvilluam ndeshjen më të kuotueshme dhe të disiplinuar. Vetëm një pikë është shumë pak por ajo që mësuam nga ky europian është shumë sepse skuadra mund të ndërtojë themelet e eleminatoreve të Kupës së Botës pikërisht duke nisur nga minuta e fundit e Dusseldorfi-t.
Me apo pa këtë trajner, Shqipëria mund të ndërtojë një cikël edhe më të rëndësishëm suksesesh nëse jo të gjithë ekspertët do të fusin hundët në punët e sportit të luajtur. Broja zhgënjim, po ashtu edhe Hysaj apo Ramadani, Asani, Daku e ndonjë lojtar tjetër nga i cili kishim protshmëri të mëdha por Shqipëria nuk është më shumë se kaq dhe vendi i fundit në grup ishte parashikimi më i thjeshtë që mund të bëhej në fillim të këtij rrugëtimi. Javët në vazhdim do të jenë vendimtare për fytyrën që do të marrë skuadra e së ardhmes pasi reflektimi, jo vetëm në skuadër por edhe në ambjentin që e rrethoi. Njerëzit e pushtuan me dashur por edhe një herë, Kombëtarja mbeti pronë e një grushti njerëzish. Euro 2024 na mësoi mbi të gjitha se kjo skuadër duhet të jetë e të gjithëve sepse në suksese dhe dështim (siç është momenti aktual) të gjithë gëzojnë dhe vuajnë bashkë.
Nga Pirro Bardhyli