Horge Sampaoli e ka të qartë plotësisht, Argjentina nuk mund ta fitojë Kupën e Botës nëse Lionel Mesi nuk është në formën e vet maksinmale. Trajneri i “albicelestëve”, pra, ka si detyrë parësore të bëjë të mundur që ylli i Barcelonës të shkojë në Rusi me “bateri” plotësisht “të karikuara”. Edhe zgjedhja e kampit stërvitor në Barcelonë, përpara udhëtimit për në Botëror nuk ishte diçka rastësore, por e lidhur pikërisht me Mesin.
Besohet se gjëja më e mirë për Leon është të stërvitet aty ku punon dhe jeton gjatë gjithë vitit, pra në qytetin e tij, në Barcelonë. Federata Argjentinase dhe trajneri ia siguruan këtë, dhe 30-vjeçari besohet se do të jetë i lumtur, i qetë dhe i sigurt, ndërsa stërvitet në kompleksin e Barcelonës, “Zhoan Gamper”, e ndërsa banon fare pranë “Kamp Nout”. Aty ka familjen, aty ka shokët e përhershëm, ka edhe tifozët katalanas, që për të janë më të mirët në botë.
Shpresa është që plani të funksionojë, dhe që Mesi të imitojë më në fund Maradonën dhe ta fitojë Kupën e Botës, të parën në karrierë, dhe të tretën për ekipin kombëtar. Nëse do të ndodhte, atëherë ai do të quhej me plot gojën pasardhësi i Diegos.
Sfidanti.al